Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Estetikës së Avancuar dhe Kozmetologjisë në Shqipëri organizohet më datë 12 Qershor 2024, tek MAK Albania Hotel, Tiranë, nga SHPPAT- Shoqata e Profesionistëve të Përkujdesjes dhe Artit Trupor, me praninë e profesionistëve në fushat e estetikës, kozmetologjisë dhe distributorë, kompani farmaceutike, përfaqësues të institucioneve të rëndësishme në Shqipëri dhe jashtë saj, nga universitetet publike dhe private të Mjekësisë në Shqipëri, përfaqësues nga Dhoma e Zejeve në Koblenz Gjermani, Head of Education në CIDESCO International etj.
Arsyet e organizimit të këtij Kongresi:
Gjithëpërfshirje profesionale – Sfera e shërbimeve shëndetësore të lëkurës përfshin jo vetëm Mjekësinë/Farmacinë si profilin kryesor për shërimin e sëmundjeve, por edhe një gamë të gjerë profesionistësh, duke përfshirë estetistë, terapistë masazhi të specializuar në estetikë, kozmetologë dhe prodhues/shpërndarës të shërbimeve të mirëqenies në përgjithësi.
Tema në interes të profesionistëve – Kongresi trajton tema që kanë të bëjnë me industrinë e bukurisë në Shqipëri, një komponent jetik i Evropës. Kongresi përfshin diskutime mbi kujdesin probiotik të lëkurës, tendencat e tregut SPA, teknika masazhi nga e gjithë bota etj., të udhëhequra nga specialistë të shquar ndërkombëtarë, ekspertë të kujdesit të lëkurës dhe profesionistë të SPA.
Produkte dhe pajisje – Përafrimi i këtyre shërbimeve duhet të plotësohet nga produkte me cilësi të lartë të ofruara nga shpërndarës me reputacion që kuptojnë dhe respektojnë standardet dhe rregulloret evropiane të cilësisë.